Secondary Adv

Banka e Shqipërisë ul sërish tavanin e interesit për kreditë e vogla, zbret në 51.37 për qind

Norma maksimale e lejuar e interesit për kreditë konsumatore deri në 200 mijë lekë është ulur për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2026, duke vijuar trendin rënës të viteve të fundit.

Banka e Shqipërisë ka publikuar normat e reja maksimale të interesit për kreditë konsumatore, të vlefshme për gjysmën e dytë të vitit 2026. Për kreditë deri në 200 mijë lekë, institucionet financiare nuk mund të aplikojnë një normë efektive interesi (NEI) më të lartë se 51.37%, nga 54.8% që ishte në gjashtëmujorin e parë të vitit dhe 62.2% në të njëjtën periudhë të vitit 2025.


Norma efektive e interesit përfshin jo vetëm interesin nominal, por edhe komisionet dhe çdo kosto tjetër që i transferohet konsumatorit gjatë marrjes së kredisë.


Rregulla të reja për kreditë deri në 200 mijë lekë

Sipas ndryshimeve të miratuara nga Banka e Shqipërisë në fillim të vitit 2025 në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”, për kreditë me këste deri në 200 mijë lekë, norma maksimale e interesit përcaktohet sa mesatarja e thjeshtë e normës efektive të interesit të kredive të dhëna gjatë gjashtëmujorit paraardhës.


Ndryshe nga skema e mëparshme, kësaj mesatareje nuk i shtohet më një e treta, siç parashikohej në rregulloren e vjetër.


Për kreditë me vlerë mbi 200 mijë lekë, mënyra e llogaritjes mbetet e pandryshuar. Në këto raste, norma maksimale përcaktohet duke i shtuar mesatares së gjashtëmujorit të kaluar një të tretën.


Komisionet paguhen në momentin e marrjes së kredisë

Ndryshimet në rregullore parashikojnë gjithashtu që komisionet e aplikuara nga institucionet financiare të paguhen nga konsumatori në momentin e dhënies së kredisë, duke mos lejuar shpërndarjen e tyre përgjatë gjithë afatit të shlyerjes.


Ndryshojnë edhe tavanet për kreditë e tjera

Për overdraftet deri në 200 mijë lekë, norma maksimale e interesit është ulur në 18.07%, nga 18.27% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 dhe 18.3% në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025.


Për kreditë me vlerë nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë, tavani maksimal është rritur në 37.4%, nga 35.43% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 dhe 35.21% në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025.


Për overdraftet në të njëjtin interval, norma maksimale është ulur në 18.39%, nga 18.5% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 dhe 18.41% në gjysmën e dytë të vitit 2025.


Ndërkohë, për kreditë me vlerë nga 600,001 deri në 2 milionë lekë, norma maksimale e interesit është ulur në 14.46%, nga 14.71% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 dhe 14.93% në gjysmën e parë të vitit 2025.


Rënie e fortë që nga viti 2022

Banka e Shqipërisë vendosi për herë të parë një tavan për normën efektive të interesit të kredive konsumatore në fillim të vitit 2022, me synimin për të mbrojtur konsumatorët nga normat e larta dhe potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka.


Që nga hyrja në fuqi e këtij mekanizmi, tavani maksimal për kreditë deri në 200 mijë lekë është ulur ndjeshëm, nga 171.41% në fillim të vitit 2022 në 51.37% për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2026.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat